“Shërbimet e reja në Mjekësinë Nukleare e kanë ulur koston e trajtimit të pacientëve”

Shërbimi me SPECT&PET-CT dhe SPECT-CT janë dy lloj aparaturash të cilat po konsiderohen transformimi kryesor që e ka rritur cilësinë e shërbimeve në Shërbimin e Mjekësisë Nukleare, por edhe ka ulur koston e trajtimit të pacientëve kryesisht me sëmundje malinje.

Shërbimet e reja po ofrohen me aparatura të cilat nuk i kanë sistemet shëndetësore në rajon.

Kështu thotë drejtori i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu i cili në një intervistë për KosovaPress vlerëson se viti 2024 ishte më i miri për shërbimin nuklear që nga themelimi i tij.

Ai thotë se donacioni nga Arabia Saudite, i mundësuar nga Fondacioni “Jahjaga” për SPECT&PET-CT, por edhe blerja e SPECT-CT ka krijuar mundësi për diagnostikim më të shpejtë të sëmundjeve kancerogjene.

Spahiu tregoi se nga qershori i viti të kaluar, kur edhe nisi ofrimi i këtij shërbimi për pacientët kosovarë, e deri në fund të dhjetorit kanë kryer 210 shërbime SPECT&PET-CT.

Drejtori i Shërbimit Klinik i Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu thotë se futja në përdorim e dy pajisjeve të reja i ka ulur shpenzimet e familjeve në masë të madhe.

Ai thekson se vitin e kaluar ky repart edhe është rinovuar.

“Kostoja e një incizimi me PET-CT ka 1300 deri në 800 euro, mesatarja ka ardhur 1000 euro. Në këtë rast nëse ne i kemi realizuar 210 PET-CT ne e kemi kursyer buxhetin e atyre familjeve për 210 mijë euro në total. Kjo është një e arritur e madhe dhe mund të them lirisht që e kemi lehtësuar sadopak jetën dhe diagnostikimin sa më të shpejtë të atyre pacientëve të cilët kanë nevojë për një PET-CT ”, thekson ai.

Krahas incizimeve me PET-CET, SPECT-CET, në Mjekësinë Nukleare nga viti 2020 ofrohet edhe denzitometria e kockave (DEXA).

E gjatë vitit 2024 janë kryer rreth 5 mijë shërbime të tilla, të cilat janë të nevojshme për pacientët që kanë probleme me Osteoporozë (humbje të masës kockore).

“Viti 2024 ka qenë viti më i mirë që prej që është në Mjekësinë Nukleare sepse kemi dy pajisje të teknologjisë, së fundi hitech prodhimi i 2024, trajnimet janë bërë të gjitha edhe për PET-CT edhe për SPECT-CT. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë të gjitha shërbime e mjekësisë nukleare”, thotë Spahiu.

Spahiu thekson se ofrimi i shërbimeve të reja e ka rritur nevojën edhe për specializantë, për çka thotë se kanë pranuar mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë. /KosovaPress/

Read Previous

Ja sa gjoba u shqiptuan nga Policia e Kosovë gjatë 24 orëve të fundit

Read Next

Serwer: Situata në Ballkan mund të përkeqësohet më shumë nën Trump-in