Shërbimi Korrektues i Kosovës, sot (e premte) shënoi 24 vjetorin e themelimit përmes një ceremonie, me ç’rast për herë të parë diplomuan 45 zyrtare korrektuese. Në këtë ceremoni u vu në theks rëndësia e Shërbimit Korrektues, derisa u tha se misioni i këtij institucioni ka vlera të pa kontestueshme për shtetin dhe shoqërinë.
Aty po ashtu u tha se ky mision ka për qëllim të korrektojë dhe të risocializojë të dënuarit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar dhe mundësinë e korrektimit të individëve, të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara. Ai shtoi se gjatë kësaj qeverisje kanë miratuar reformën ligjore, e cila avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtave të tyre.
“Shërbimi Korrektues është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar dhe mundësinë e korrektimit të individëve të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara apo të tilla të cilat sanksionohen me ligjet e republikë sonë…Të burgosurit janë njerëz që nuk janë të lirë, por që kanë të drejta…Në qeverisjen tonë kemi miratuar reformën ligjore në Shërbimin Korrektues të Kosovës, e cila avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtat e tyre. Po ashtu, kemi shtuar kapacitetet dhe mundësitë për ngritje profesionale përmes trajnimeve adekuate për personelin…SHKK teksa kujdeset dhe kontribuon edhe për sigurinë e gjithmbarshme në shtetin dhe shoqërinë tonë, njëkohësisht i përket qeverisëm shtetit dhe shoqërisë që të kujdeset edhe për sigurinë për brenda institucioneve korrektuese”, tha Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se SHKK-ja është institucion që ka shënuar progres përveçse në infrastrukturë, edhe në cilësinë e shërbimit dhe profesionalizëm. Ajo shtoi se misioni i zyrtarëve brenda SHKK-së është që të korrektojnë dhe të risocializojë të dënuarit, që pas kryerjes së dënimit të mos paraqesin rrezik për shoqërinë dhe të jenë të dobishëm për shoqërinë tonë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, sot është institucion që ka shënuar progres përveçse në infrastrukturë edhe në cilësinë e shërbimit dhe profesionalizëm. Misioni i SHKK-së dhe Qendrave Korrektuese në Republikën e Kosovës është mision me vlera të pa kontestueshme për shtetin por po ashtu edhe për shoqërinë. Ky mision mëton të korrektojë dhe të risocializojë të dënuarit, që këta pas kryerjes së dënimit të mos paraqesin rrezik për shoqërinë në njërën anë, por po ashtu të jenë të dobishëm për shoqërinë tonë. SHK në vendin tonë funksionon si i tillë duke përfillur të drejtat themelore të të dënuarve dhe duke mos i diskriminuar ata në bazë të racës, gjuhës apo religjionit të tyre”, theksoi Haxhiu.
Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 43-të të Shërbimit Korrektues të Kosovës, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Ismail Dibrani tha se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim duke garantuar një mjedis të sigurtë dhe trajtim të barabartë, derisa shtoi se do të promovojnë një ri-integrim të burgosurve në shoqëri.
Dibrani theksoi se është i vendosur për të promovuar vlerat e drejtësisë dhe për të ndihmuar rritjen e besimit publikut në sistemin e drejtësisë.
“Jam i vetëdijshëm për sfidat që na presin, por së bashku me personelin, kabinetin e ministres, përkrahjen e partnerëve tanë, transparencën e plotë me publikun dhe mediat e lira, do t’i tejkalojmë të gjitha vështirësitë dhe do ta zhvillojmë edhe më tutje Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe duke garantuar një mjedis të sigurte, trajtim të barabartë dhe të promovojmë një ri integrim të burgosurve në shoqëri. Jam i vendosur për të promovuar vlerat e drejtësisë dhe për të ndihmuar rritjen e besimit publikut në sistemin e drejtësisë. Sot, si asnjëherë më parë po diplomon gjenerata e 43-të e zyrtarëve korrektues dhe kjo dëshmon se gruaja në Shërbimin korrektues të Kosovës, po e zë vendin meritor”, potencoi Dibrani.
Ndërkaq, në emër të 45 të diplomuarave nga gjenerata e 43-të në Shërbimin Korrektues të Kosovës, foli kadetja Teuta Pllana, e cila tha se misioni i tyre është që të sigurojnë trajtim të barabartë ndaj të gjithë personave të burgosur.
“Kjo është një fitore e rrallë e cila krenon jo vetëm SHKK-në por është një arritje për të gjithë komunitetin tonë. Pas një periudhe shtatë mujore të vijimit të trajnimit në Akademinë e Kosovës për siguri publike dhe pas realizimit të periudhës praktike tani ka ardhur koha që zyrtarisht që detyrat tona t’i kryejmë me nder, përgjegjësi dhe përkushtim në institucionet ku kemi për të shërbyer. Misioni ynë është që të sigurojmë trajtim të barabartë ndaj të gjithë personave të burgosur, duke kontribuar në ri edukimin e tyre dhe kthimin e tyre në shoqëri si persona të dobishëm dhe të gatshëm që si çdo qytetarë të punojnë dhe veprojnë në harmoni me norma sociale dhe legjislacionin në fuqi”, tha Pllana.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka filluar punën më 28 nëntor të vitit 1999, fillimisht me hapjen e Qendrës së parë të Paraburgimit në Prizren, për të vazhduar pastaj me hapjen e qendrave tjera korrektuese nëpër qendrat më të mëdha të vendit.
Në prill 2000 është rekrutuar dhe trajnuar gjenerata e parë prej 60 oficerëve korrektues, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan punën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Që nga ajo kohë, Shërbimi Korrektuese i Kosovës në radhët e veta numëron 1386 staf të uniformuar dhe 283 staf civil, profesional dhe mbështetës, të trajnuar dhe përkushtuar për përmbushjen e misionit të SHKK-së. /KosovaPress/