Shqipëri: Inflacioni bazë në nivelin me të ulët prej vitit 2021

Inflacioni bazë ka vijuar të jetë në rënie dhe ndodhet tashmë në nivelet më të ulëta për tre vitet e fundit, duke marrë parasysh të dhënat që prej vitit 2021.

Sipas informacionit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, në muajin maj inflacioni bazë zbriti në 2.33%, nga 3.2% që ishte në fund të vitit të kaluar dhe 5.41% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e inflacionit bazë është më e ulëta që prej tetorit 2021.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Tashmë, inflacioni bazë është shumë afër nivelit të inflacionit të shportës së plotë çmimeve të konsumit, që sipas INSTAT për muajin maj ishte 2.2%.

Më 28 maj, ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ai i cili ka prezantuar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, raportin e vitit 2023.

Kështu në fjalën e tij, Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka shfaqur një shkallë të admirueshme rezistence përballë sfidave madhore të viteve të fundit dhe pati një nga normat më të larta të rritjes ekonomike dhe normën më të ulët të inflacionit ndër vendet e rajonit.

Ai tha se Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë viteve të ardhshme, e mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve, eksporteve, punësimit dhe pagave, si dhe stabilizim të inflacionit pranë objektivit prej 3 %.

Duke iu referuar statistikave zyrtare, Sejko bëri të ditur se, “ekonomia u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit”.

“Niveli mesatar i pagave në sektorin privat u rrit 13% ndërsa inflacioni shënoi një rënie graduale, nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024”.

Për të, viti 2023 shënoi përmirësime edhe në ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë.

“Eksportet u rritën me 1.7 miliardë euro dhe niveli i rezervave valutore të Bankës së Shqipërisë regjistroi një rekord historik prej 5.8 miliardë eurosh”, u shpreh Guvernatori, teksa theksoi se, “sistemi bankar ka vijuar përmirësimin e treguesve të kapitalizimit dhe të cilësisë së portofolit të kredive, me treguesin e kredive me probleme në nivelin 4.8%”.

Sipas tij, këto trende pozitive i mundësojnë sektorit bankar të furnizojë ekonominë dhe në vazhdimësi me fonde financiare dhe instrumente pagesash e kursimesh.

Sejko nënvizoi se, sektori financiar shqiptar shënoi dy arritje të rëndësishme gjatë vitit të shkuar: Daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF-së dhe paraqitja e kërkesën zyrtare të BSH-së, pranë Autoritetit Bankar Evropian (EBA) për marrjen e statusit të ekuivalencës, që ndikon në rritjen e kreditimit nga bankat evropiane që operojnë në Shqipëri. /Albanianpost.com

Read Previous

ATK: Taksitë të pajisen me sistem fiskal të veçantë

Read Next

ATK-ja u bën thirrje taksive të pajisjen me sisteme fiskale