Shqipëri/ Zyrtari i lartë amerikan, Todd Robinson, takohet me kreun e SPAK

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), Todd Robinson, këtë paradite të 19 marsit është takuar me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Robinson gjatë vizitës së tij në Tiranë ka zhvilluar gjithashtu një takim me stafin e Ambasadës së SHBA-ve.

Pritet që ai të takohet me kryeministrin Edi Rama, anëtarët e qeverisë, institucionet e drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese.

Kjo, për të nënvizuar bashkëpunimin e fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Robinson është cilësuar si një ndër ideatorët amerikanë të reformës shqiptare në Drejtësi, si edhe i Prokurorisë së Posaçme.

Kush është Todd Robinson, “babai” i SPAK-ut

Nga karriera e tij e gjatë në postet që ka mbajtur, në vitin 2004 Robinson ishte shef i Seksionit Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, Shqipëri.

Dy vjet më vonë, Robinson u largua për të punuar si konsull i përgjithshëm, në Konsullatën amerikane në Barcelonë.

Fillimet e karrierës së tij diplomatike gjithsesi, Robinson i ka në 1986, kur iu bashkua Departamentit të Shtetit, me pozitat e tija të para në Kolumbi dhe në El Salvador.

Ai u kthye në Washington në vitin 1991, për të punuar si oficer në qendrën operative të Departamentit të Shtetit. Në 1993, Robinson u caktua në Romë, Itali si asistent i stafit të ambasadorit në atë kohë, Reginald Bartholomew dhe dy vjet më vonë u zhvendos në të gjithë qytetin për të punuar si oficer politik në Ambasadën në Vatikan.

Në vitin 1997, Robinson u kthye në Amerikën Latine për të punuar si oficer politik në ambasadën e La Paz-it, Bolivi, derisa u rikthye në vitin 1999 për një post si asistent special i Sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright. Vitin tjetër, ai u dërgua në Republikën Domenikane si zëvendës këshilltar për Çështjet Politike dhe Ekonomike.

Më pas, gjatë administratës Obama, ai u caktua si ambasador në Guatemala. Teksa nën administratën Trump, ai u caktua si i ngarkuar me punë në Venezuelë.

Por karriera e tij do të merrte një kthesë me administratën Biden, kur në prill 2021, Robinson do të caktohej si Ndihmës-Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Forcimit të Ligjit.

Pikërisht në këtë funksion, ai ka dhënë edhe kontribut madhor për ngritjen dhe rrjedhën që SPAK do të merrte në kohë, duke pasur edhe arrestime të bujshme të ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, apo deri edhe akuza ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha. /Albanianpost.com

Read Previous

BISEDË – Fuqia e inteligjencës emocionale

Read Next

Aksidentohen 4 automjete në rrugën Mitrovicë-Prishtinë, 3 të lënduar