Shqipëria avancon në negociatat me BE-në, dy grup-kapituj në fokus

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po ecin përpara, ndërsa së fundmi janë përcjellë në palën shqiptare letrat mbi rezultatet e procesit të shqyrtimit për dy grup-kapituj të rëndësishëm: Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën e Rritjen Gjithëpërfshirëse.

Një burim diplomatik polak ka bërë të ditur për Albanian Post se, për të hapur këto kapituj në Konferenca Ndërqeveritare, është e nevojshme që vendet anëtare të diskutojnë dhe të miratojnë me unanimitet Pozicionet e Përbashkëta të BE-së.

Këto pozicione do të pasqyrojnë nivelin e përafrimit të Shqipërisë me legjislacionin evropian në këto fusha dhe, gjithashtu, do të përcaktojnë kriteret e mbylljes për secilin kapitull negociues.

Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë vijon të mbetet në fokusin e vendeve anëtare, ndërsa priten hapa të mëtejshëm në vijim të negociatave.

Ishte kryeministri Edi Rama që njoftoi se Shqipëria ka marrë dy letra të rëndësishme nga Presidenca Polake e Bashkimit Europian, duke i hapur dy grupe të reja të kapitujve në procesin e negociatave për anëtarësim.

Sipas Ramës, letra e parë është për çeljen e grupkapitullit 3 të negociatave, ndërsa e dyta, për grupkapitullin 2.

Ndërsa, shefi i diplomacisë polake, Radoslaw Sikorski gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, tha se “ne shpresojmë që të hapim një grup-kapitull të ri të negociatave me Shqipërinë në një konferencë ndërqeveritare që do të zhvillohet muajin e ardhshëm”.

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE kanë shënuar përparime të rëndësishme kohët e fundit.

Më 17 dhjetor 2024, gjatë Konferencës së Tretë Ndërqeveritare në Bruksel, u hap grup-kapitulli i gjashtë, i cili përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë hap si një proces të lehtë për Shqipërinë, duke theksuar harmoninë e vendit me politikat e BE-së në këto fusha.

Kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Agjenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

Grup-kapitujt

Takimi i dytë i Konferencës së Aderimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në nivel ministror u zhvillua të martën e 15 tetorit në Luksemburg, duke shënuar përparim në përpjekjen e saj të gjatë për t’u bashkuar me bllokun prej 27 vendesh.

Shqipëria hapi Klasterin 1, të përbërë nga pesë kapituj negociues, me Bashkimin Evropian në konferencën e saj të dytë ndërqeveritare.

Në këtë mënyrë, u bë vendi i tretë kandidat i Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi dhe Serbisë, i cili hapi kapitujt e negociatave.

Shqipëria hapi zyrtarisht bisedimet e pranimit së bashku me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022. /Albanianpost.com

Read Previous

Kush janë 10 lojtarët që Messi ka preferuar më shumë gjatë karrierës?

Read Next

Amazon blen të drejtat e James Bond