Pas marrëveshjes mes dy qeverive, Shqipëria ka nisur sot me lëshimin e lejeve të qëndrimit Biometrike për shqiptarët e Kosovës që jetojnë në atje.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledar Çuçi priti në zyrë dy të rinj nga Kosova, të cilëve iu dorëzoi kartat e para 5-vjeçare të rinovueshme pa afat.
“Sot kam kënaqësinë të jap dy kartat e para të Lejeve të Qëndrimit të dy shqiptarëve shtetas të Kosovës. Leje Qëndrimi 5- vjeçare që aplikohet për herë të parë në Shqipëri në bazë të ligjit të ri që kemi bërë për të lehtësuar pikërisht këtë proces edhe në bazë të marrëveshjes që bëmë me qeverinë e Kosovës, e cila gjithashtu ka filluar të aplikojë të njëjtin regjim përsa i takon dhënies së lejes së qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë. Kam kënaqësinë sot t’i jap Aritës dhe Kushtrimit kartat biometrike, identike përsa i takon cilësive që kanë ID shqiptare, me të gjitha të dhënat personale të pasqyruara në të dy çipet e kartës”, u shpreh ministri Çuçi.
Lëshimi i Lejeve të Qëndrimit biometrike për shqiptarët e Shqipërisë ka nisur edhe në Kosovë. Të dy qeveritë nënshkruan marrëveshjen në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit që u mbajt në Elbasan.