Bota po rimëkëmbet në aspektin e lëvizjeve turistike, pas pandemisë Covid-19.
Dhe vendi me rimëkëmbjen më të shpejtë – të paktën në Evropë – është pikërisht Shqipëria.
Kështu bëjnë me dije të dhënat e fundit të publikuara nga UN Tourism, dega e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila kujdeset për turizmin, duke e radhitur Shqipërinë të parën në Evropë dhe të dytën në botë për rritjen e turizmit.
Të dhënat e publikuara nga UN Tourism, sipas barometrit të fundit, shënjojnë periudhën mes janarit dhe korrikut 2024, ku në bazë të të dhënave tërësore, globalisht është arritur 96% i nivelit para-pandemik për udhëtimet.
Katari, vendi i vetëm i cili tejkalon Shqipërinë në rritjen e turizmit, pati dhe benefitin e të priturit një Kupë Bote në futboll në vitin 2022, gjë që e vuri në radarin ndërkombëtar të turizmit, së bashku me fuqinë e vendeve arabe për të zhvilluar një turizëm luksi gjatë dekadës së fundit.
Nga ana tjetër, Shqipëria – në Evropë nuk njeh asnjë rival për rritjen – përfitoi gjerësisht nga masat më të lehtësuara ndaj Covid-19, një reklame të gjerë në media sociale dhe pa diskutim edhe në rritjen e aeroportit të Rinasit, duke prezantuar vendmbërritje të reja me çmime të ulëta, që çuan rrjedhimisht në rritjen tërësore të udhëtimeve.
Teksa Lindja e Mesme është ngjitur me 26% mbi nivelin e mbërritjeve para-pandemike, Evropa është në mesataren e 96% krahasuar me vitet para pandemisë.
Vetë Shqipëria megjithatë, luan në një ligë më vete për rritjen turistike, pasi sipas Barometrit të OKB-së, vetëm gjatë qershor-korrikut 2024, performanca ka qenë me +128%, pra edhe më e mirë se mesatarja e Lindjes së Mesme.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një publikimi në X, shkruan se Shqipëria renditet e para në Evropë për rritjen e vizitorëve dhe e dyta në botë pas Katarit, duke i ftuar po ashtu të gjithë të vizitojnë Shqipërinë.
Teksa, në vitin 2023, Shqipëria ruante pozitën e tretë në botë për nga rritja turistike, po sipas Barometrit të UN Tourism, duke e bërë të qartë se një dyndje turistike nuk ka qenë e rastësishme në vend, por një proces progresiv.
Një rritje e tillë mund të reflektohet edhe nga një publikim i fundit i Institutit të Statistikave në Shqipëri, i cili tregon një rritje të madhe të ardhjeve përmes linjave ajrore, duke treguar kështu se si Rinasi ka qenë një pikë kyçe e kësaj kthese të madhe turistike.
Në bazë të publikimit nga INSTAT, pasagjerët nga ajri janë rritur me 42.7% në tremujorin e tretë, duke kapur shifrën e 3 milionë e 534 mijë e 751 pasagjerëve. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri ishte vetëm 2.476 milionë.
Në bazë të publikimit nga INSTAT, pasagjerët nga ajri janë rritur me 42.7% në tremujorin e tretë, duke kapur shifrën e 3 milionë e 534 mijë e 751 pasagjerëve. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri ishte vetëm 2.476 milionë./Albanianpost.com