Shqipëria synon të hapjen e të gjithë grupkapitujve negociues me BE-në brenda vitit 2025

Mund të duket një arritje e pamundur, por steka për diplomacinë shqiptare është caktuar tashmë.

Ajo çfarë duhet arritur, është hapja e të gjithë grupkapitujve negociues me Bashkimin Evropian brenda vitit 2025.

E bën me dije ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili gjatë një konference me gazetarët, ka treguar rreth çështjes.

“Objektivi ynë është i qartë: në vitin 2025 synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim grup-kapitullin e gjashtë, ndërsa deri në fund të vitit 2027, planifikojmë të mbyllim të gjitha negociatat dhe të jemi gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz, dhe diplomacia do të luajë një rol kyç në realizimin e tij, me komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së”.

Kështu është shprehur ai qartësisht, duke mos i lënë vend hipotezave të tjera.

Megjithatë, rrugëtimi për ta kryer këtë hap madhor është tejet i vështirë.

Fakti është se të gjithë gjasat janë kundër Shqipërisë. Nuk ka asnjë vend, i cili ka kaluar periudhë negociuese, që të ketë arritur diçka të tillë kaq shpejt.

Ishte vetëm në tetor kur Shqipëria hapi grupkapitullin e parë negociues, njohur si “Themelet”. Por, në dhjetor, vetëm dy muaj larg, ajo arriti të hapë dhe një grupkapitull tjetër atë të gjashtin, i cili lidhet me politikën e jashtme dhe mbrojtjen.

Ambicia e diplomacisë shqiptare, është e tillë që ky grupkapitull të mbyllet brenda vitit të ardhshëm dhe në fakt kjo gjë është e mundur, duke parë se Shqipëria është krejtësisht e linjëzuar me Bashkimin Evropian në këto fusha dhe po ashtu gëzon edhe statusin si anëtare me të drejta të plota e NATO-s.

Pjesëmarrja tejet e suksesshme në Këshillin e Sigurimit, gjithashtu do të jetë një shtysë për të mbyllur më shpejt këtë grupkapitull, duke parë se diplomacia shqiptare prej kohësh ka qenë aktive edhe në radarin ndërkombëtar dhe reforma me rëndësi janë kryer në mbrojtje, për të arritur kuotat e caktuara nga NATO.

Aleanca e fortë me SHBA-të, mund të ketë po ashtu rol pozitiv në këtë ecuri, gjë që e ka përmendur edhe Hasani gjatë konferencës.

Mbi të gjitha, për të kapur këto afate, është përfolur edhe angazhimi i figurave të spikatura nga diaspora, të cilët mund të përshpejtojnë procesin. Më së shumti, mendohet se do të përfshihen persona, të cilët kanë dhënë kontribut të mëparshëm në organizma ndërkombëtarë.

Këto megjithatë mbeten në rrafshin teknik dhe realizimi i tyre mbetet për t’u parë, marrë shkas edhe viti zgjedhor që e pret vendin në 2025-n.

Por, aspekti politik, mund të jetë jetësor në përshpejtimin, ose edhe ngadalësimin e këtij rrugëtimi.

Ndaj, Shqipëria duhet të shtyjë edhe në rrafshin politik, si të brendshëm, edhe atë të jashtëm, për reforma gjithëpërfshirëse dhe efikase, që do të çojnë vendin përpara.

Raportet me fqinjët jugorë po ashtu nuk duhen harruar, pasi Greqia, për disa kohë, e mbajti pezull Tiranën në hapjen e negociatave dhe problemet mes palëve mund t’i përdorë sërish për këtë.

Për diçka gjithsesi, të gjithë bien dakord: Shqipëria është në “pole position” për të qenë anëtarja e radhës që i bashkohet familjes evropiane.

Brenda 2030-ës apo jo, duhet pritur… /Albanianpost.com

Read Previous

​Fluks i lartë në pikën kufitare të Morinës

Read Next

Edhe një vit me mbi 100 mjekë të ikur nga Kosova