Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se 264 operatorë ekonomik janë gjobitur me shuma të penalltive të ndryshme, por që gjithsej vlera e tyre arrin në 226 mijë euro.
ShSKUK-ja ka publikuar listën e përfituesve, të cilët pastaj janë dënuar për vonesën e produkteve në afatin e paraparë me kontratë për vitin 2024.
Ky institucion shëndetësor mund t’i dënojë operatorët ekonomik (OE) për arsye të ndryshme që lidhen me mosrespektimin e kushteve të kontratës së nënshkruar mes tyre.
Disa arsye të zakonshme për këto dënime përfshijnë mosrespektimin e afateve të dorëzimit nëse OE nuk e furnizon ShSKUK-në me produkte ose shërbime brenda afateve të përcaktuara në kontratë.
Në rastet kur produktet ose shërbimet e ofruara nuk përmbushin standardet ose specifikimet e kontraktuara, nëse operatori ekonomik nuk e plotëson tërësisht obligimin për të furnizuar mallra ose shërbime sipas sasisë dhe specifikimeve të kërkuara.
Po ashtu nëse ka shkelje të cilat lidhen me kontratën, si mungesa e dokumentacionit të nevojshëm ose mospërmbushja e detyrimeve financiare.
ShSKUK-ja mund të shqiptojë gjobë edhe në rastet kur vonesat ose mungesat e furnizimeve shkaktojnë rrezik për pacientët ose pengesa në funksionimin normal të shërbimeve spitalore. /Albanianpost.com