Ukraina ka deklaruar të martën se po heton një pretendim se një substancë helmuese u lëshua mbi qytetin e rrethuar të Mariupolit, raportoi AP. Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, ka thënë se është e mundshme se bomba prej fosfori – të cilat shkaktojnë djegie të tmerrshme, por që nuk klasifikohen si armë kimike – ishin përdorur.
Tani pyetja është si të vërtetohet e vërteta mes mjegullës së luftës që ka mbuluar një qytet ende nën sulmin e forcave ruse. Një përgjigje e qartë nuk ka shumë gjasa që të dalë së shpejti.
Kush mund të hetojë?
Në linjën e parë për të hetuar në Ukrainë janë vetë agjencitë e saja të zbatimit të ligjit. Ka po ashtu ekipe nga vende të tjera që hetojnë pretendimet – veçanërisht përreth Buchas – për krime lufte dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një hetim në Ukrainë. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike deri tash nuk ka deklaruar për ndonjë hetim në Ukrainë, edhe pse thotë në faqen e saj se sekretariati i saj “po monitoron statusin e objekteve përkatëse industriale kimike dhe çdo kërcënim për përdorimin e kimikateve toksike si armë në vend”.
Si hetohen sulmet kimike të dyshuara?
Nëse një ekip ekspertësh do të ishte në gjendje të hetonte çfarë ishte përdorur dhe nga kush, do të krijonte një dosje provash të bazuara në teste laboratori të mostrave të mbledhura në vendngjarje dhe nga viktimat. Kjo do të thoshte marrje e mostrave të dheut dhe testimit të tyre për gjurmë të armëve kimike ose të tjera municione. Mostra të gjakut dhe urinës nga viktima që i janë ekspozuar municionit do të testoheshin. Pastaj, hetuesit do të intervistonin dëshmitarët dhe të mbijetuarit për të ndërtuar një pasqyrë të asaj çfarë kanë përjetuar.
Çfarë ka ndodhur në rastet e kaluara të përdorimit të armëve kimike tjetër kund?
Qindra njerëz janë vrarë nga sulmet e helmimit me gaz në Siri gjatë luftës civilë të vendit.
Dy raste më të fundit jashtë Sirisë tregojnë si përdorimi i një arme të dyshuar kimike mund të hetohet nga autoritetet lokale – helmimi më 2020 i opozitarit rus Alexei Navalny dhe ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal, dhe vajzës së tij në Salisbury më 2018.
Në ato raste, autoritetet në Gjermani, ku Navalny u trajtua, dhe në Mbretërinë e Bashkuar në rastet e Skripals, morën dhe testuan mostra biologjike dhe konkluduan se ishin shënjestruar me një agjent nervor sovjetik të njohur si Novichok.
Nëse fosfori është përdorur në Mariupol, a është ilegal?
Bombat e fosforit nuk konsiderohen armë kimike. Shumica e ushtrive kanë të tilla që i përdorin për ndriçimin e fushave të betejës ose objektivave. Megjithatë, nëse një ushtri qëllimisht gjuan një bombë fosfori në një hapësirë të mbyllur për t’i ekspozuar njerëzit ndaj tymrave toksikë, mund të jetë shkelje e Konventës së Armëve Kimike./Alsat.mk/