Largimi i Raheem Sterling nga “Stamford Bridge” thuhet se ka nxitur një përplasje në sallën e këshillit të Chelsea midis Todd Boehly dhe Clearlake Capital.
Fillimisht, pronësia e re e Chelsea duket se kishte një front të bashkuar, por tensionet midis Boehly dhe Clearlake janë rritur në muajt e fundit. Biznesmeni amerikan thuhet se ka pasur mosmarrëveshje me Behdad Eghbalin, duke shkaktuar fërkime mbi menaxhimin e klubit. Këto mosmarrëveshje kanë arritur në një pikë ku Boehly thuhet se është duke shqyrtuar mundësinë e blerjes së 61.5 për qind të aksioneve të Clearlake Capital në klub për të konsoliduar pushtetin e tij në “Stamford Bridge”. Megjithatë, Eghbali dhe Jose Feliciano, të cilët janë forcat shtytëse pas Clearlake Capital, dyshohet se nuk janë të interesuar të shesin aksionet e tyre dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kontrolli i Chelsea.
Sipas HITC, një nga faktorët kryesorë që përkeqësoi tensionet midis Boehly dhe Clearlake ishte trajtimi i së ardhmes së Sterling në Chelsea. Sterling, i cili ishte nënshkrimi i parë i madh i Boehly-t pas marrjes së drejtimit të klubit, kishte ardhur nga Manchester City. Reprezentuesi anglez shihej si një lojtar kyç për Blutë dhe Boehly kishte shpresa të mëdha për suksesin e tij në “Stamford Bridge”. Megjithatë, Sterling nuk arriti të përmbushë pritshmëritë dhe përfundimisht e gjeti veten jashtë favorit në drejtimin e Enzo Maresca, duke rezultuar në një kalim në Arsenal para skadimit të afatit.
Raporti sugjeron se vendimi për largimin e Sterling është ndikuar ndjeshëm nga Eghbali, i cili duket se ka shtyrë për largimin e lojtarit, pavarësisht dëshirës së Boehly për ta mbajtur atë në klub. Ky i fundit thuhet se ka qenë i zemëruar me mënyrën si u trajtua situata e ish-yllit të Liverpoolit, duke ndjerë se klubi kishte hequr dorë para kohe nga një lojtar që kishte punuar shumë për të sjellë, çka ka kontribuar më tej në prishjen e marrëdhënieve midis Boehly dhe Eghbali.
Ndërsa saga e Sterlingut është një kontribues i dukshëm në mosmarrëveshjen midis Boehly dhe Clearlake, ajo është vetëm një nga shumë çështje që po nxisin tensionet në rritje. Sipas burimeve të shumta, një sërë mosmarrëveshjesh mbi drejtimin strategjik të klubit dhe vendimet e menaxhimit kanë tensionuar marrëdhëniet mes dy kampeve. Kështu, lufta për kontrollin e Chelsea tani ka arritur një pikë kritike dhe është në “prag të një konflikti të brendshëm”. /Goal.com/