Sot, për herë të parë në Slloveni, një pajisje laser e montuar në dron u përdor për të përcaktuar trashësinë dhe sasinë e mbulesës së borës të krijuar pas një orteku bore.
Pajisja u përdor pas ortekëve që kërcënuan rrjetin rrugor lokal në zonën Bovec në Slloveninë veriperëndimore më 22 dhe 23 janar, dhe bëhet fjalë për kërkime që janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të hetuar pasojat e ortekëve që janë të shpeshta në pjesët e sipërme të luginës së Soçes.
Milan Kobal nga Fakulteti Bio-teknik në Lubjanë deklaroi sot se ortekët në këtë pjesë të Sllovenisë rrezikojnë zona që nuk janë të lidhura me rrjetin rrugor lokal, raporton agjencia e lajmeve STA.
“Laseri është një instrument i dobishëm pasi që mat me saktësi lartësinë e mbulesës së borës, e cila është e dhënë e rëndësishme për simulimet e ortekëve individualë, për parashikimin e diapazonit dhe sasisë së borës, por edhe për planifikimin e kundërmasave teknike adekuate”, tha Kobal.
Ai gjithashtu deklaroi se bazuar në të dhënat e mbledhura deri më tani, u konkludua se në disa vende do të ishte e dëshirueshme të ndërtoheshin galeri speciale që mund të ngadalësonin ose edhe të ndalonin ortekun./KosovaPress