Sot (e mërkurë) do të zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës, ku do të mësohen dy ekipet finaliste.
Para dy javësh u zhvilluan ndeshjet e para të Kupës së Kosovës dhe tani janë në program për t’u luajtur ndeshjet e dyta pasi gara po shkon drejt fundit.
Ndeshje më interesante pritet të jetë ajo në mes të dy rivalëve të mëdhenj, Prishtinës dhe Dritës, e cila do të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:00.
Vendasit nga kryeqyteti kanë epërsi 1-0 nga ndeshja e parë dhe do të synojnë ta ruajnë këtë epërsi dhe të konfirmojnë një vend në finalen e Kupës së Kosovës, pasi fitimi i këtij trofeu është shpresa e vetme për të luajtur në Evropë.
Përballje interesante pritet të zhvillohet edhe në Skenderaj, ku Drenica e pret Llapin në stadiumin Bajram Aliu, me fillim nga ora 15:00.
Ndeshja e parë ka përfunduar me fitoren e llapjanëve me rezultat 2-0, por drenicasit do të tentojnë deri në fund për të bërë befasinë dhe për t’u bërë ekipi nga Liga e Parë që synon trofeun. /Telegrafi/