Sot tentativa e tetë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet plotësisht.

Një tentativë e tetë në këtë drejtim do të bëhet sot. Kjo do të jetë seanca e tetë  çdo 48 orë, që nga 15 prilli, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Nga VV-ja e kanë bërë të qartë se nuk do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Në pesë votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

Partitë e tjera qe disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë. VV po insiston në emrin e Haxhiut.

Vetë Haxhiu ka thënë se nuk është optimiste se do të ketë ndryshim të situatës as ditën e sotme.

Sipas saj, s’ka vullnet për konstituimin e Kuvendit.

“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e nesërme, pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka thënë Haxhiu të hënën për Telegrafin.

Haxhiu ka thënë se Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i japin të drejtë vetëm partisë fituese të zgjedhjeve që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Sipas saj, opozita po e refuzon jo vetëm kandidaturën e saj, por në disa raste edhe çdo kandidat tjetër të mundshëm.

“Në këtë situatë, LDK-ja ka deklaruar se nuk do ta mbështesë as Albulena Haxhiun e as ndonjë kandidat tjetër, ndërsa dy subjekte tjera kanë kërkesa për emra të tjerë”, përfundoi Haxhiu.

Haxhiu tha se janë të gatshëm që të flasin me partitë e tjera për datën e zgjedhjeve.

“Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendi, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu të premten.

Në këtë situatë është bërë bërë thirrje që presidentja Osmani të ndërmarrë iniciativë duke mbledhur liderët e partive në një takim të përbashkët për të gjetur një zgjidhje.

Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

Këshilltari për media, Bekim Kupina, tha se Presidentja është e hapur për konsultime me liderët e partive politike në çdo kohë që ata e konsiderojnë të përshtatshme.

“Presidentja Osmani tashmë ka ofruar gatishmëri të plotë për konsultime me liderët e partive, kurdo që ata e shohin të nevojshme. Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, tha Kupina.

Seanca e sotme pritet të mbahet në ora 10:00./Reporteri.net/

Read Previous

Sot Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

Read Next

Si po i uzurpon Rusia shtëpitë ukrainase në Mariupol