Më shumë se 10 mijë e 400 emigrantë vdiqën ose u zhdukën në det ndërsa përpiqeshin të arrinin në Spanjë në vitin 2024, një vit i shënuar nga një fluks rekord imigrantësh në Ishujt Kanarie, sipas një raporti të publikuar të enjten nga OJQ-ja spanjolle Caminando Fronteras.
Kjo shifër është e barabartë me 30 persona që vdesin mesatarisht në ditë, nga janari deri më 15 dhjetor të këtij viti, thuhet në një deklaratë për shtyp të kësaj OJQ-je, e cila njofton autoritetet detare për praninë e anijeve në rrezik të menjëhershëm.
Numri i fataliteteve është 58 për qind më i lartë se ai i regjistruar nga OJQ-ja vitin e kaluar, e cila numëroi 6 mijë e 618 migrantë të vdekur ose të zhdukur në rrugët e migrimit për në Spanjë.
Sipas raportit, 421 gra dhe 1 mijë e 538 fëmijë dhe adoleshentë kanë vdekur.
“Këto shifra nënvizojnë një dështim të thellë të sistemeve të shpëtimit dhe mbrojtjes”, tha Helena Maleno, koordinatore e raportit, duke denoncuar “një tragjedi të papranueshme”.
Ajo bën thirrje që “përparësi t’i jepet mbrojtjes së të drejtës për jetë, të forcohen operacionet e kërkim-shpëtimit dhe të garantohet drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre”.
Emigrantët e vdekur ose të zhdukur vinin nga të paktën 28 vende, kryesisht afrikane, por edhe nga Iraku dhe Pakistani.
Shumica dërrmuese e viktimave (9 mijë e 757) u regjistruan gjatë kalimit të Oqeanit Atlantik midis bregut veriperëndimor të Afrikës dhe Ishujve Kanarie, sipas të dhënave të OJQ-së.
Pikërisht në këtë rrugë të mërkurën, ditën e Krishtlindjes, u shpëtuan shtatë varka, njoftuan autoritetet spanjolle në median sociale X.
Numri i emigrantëve që hyjnë në mënyrë të parregullt në Spanjë nëpërmjet ishujve Kanarie është rritur ndjeshëm muajt e fundit, derisa kapërceu rekordin vjetor të vendosur në vitin 2023 në fund të nëntorit, sipas Ministrisë së Brendshme.
Sipas të dhënave të ministrisë, 60 mijë e 216 emigrantë zbarkuan në këtë arkipelag spanjoll midis janarit dhe mesit të dhjetorit, krahasuar me 52 mijë e 591 gjatë gjithë vitit të kaluar, një rritje prej 14.5 për qind. /Albanianpost.com