Specialja i referohet “Kosovo i Metohija”

Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur sërish akuza të rënda ndaj Dhomave të Specializuara, duke deklaruar se posedon fakte që dëshmojnë manipulimin e procesit gjyqësor me “prova” të ofruara nga shteti serb.

Sipas tij, kjo është një çështje që është theksuar vazhdimisht nga ai dhe të tjerë, por tashmë po del në sipërfaqe me të dhëna të reja që, siç thotë, vërtetojnë pretendimet e bëra më herët.

“Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me ‘dokumente’ të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia”.

“Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla!Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me ‘prova’ nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni”, ka shkruar avokati në një postim publik, të cilit i ka bashkëngjitur edhe disa dokumente që ai i konsideron dëshmi të qarta të këtij manipulimi.

Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave – rasti nuk është përmbyllur

Me 3 prill gjatë një konference për media në Prishtinë,  zëdhënësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë raportuan mbi zhvillimet e procesit ndaj ish krerëve të UÇK-së.

Ata informuan se Prokuroria ka përfunduar zyrtarisht prezantimin e provave në gjykatë, por nuk e ka mbyllur ende rastin, pasi seanca e ardhshme është caktuar për 23 prill.

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale Angela Griep ka thënë se në gjykatë kanë dëshmuar 125 dëshmitarë, kurse 117 me shkrim.

“Nga ajo që dimë është se Prokuroria ka konfirmuar se kanë përfunduar me prezantimin e provave, por nuk e kanë mbyllur rastin zyrtarisht. Seanca e radhës është caktuar më 23 prill. Prokuroria deri atëherë do ta përfundojë rastin…125 dëshmitarë kanë qenë, dhe 117 kanë dëshmuar vetëm me shkrim. 206 ditë të gjykimit, dhe 150 viktima”, deklaroi  Griep.

Ajo shtoi se gjyqtarët e Dhomave të Specializuara sigurojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, duke nënvizuar se ata janë të angazhuar për të zbatuar një kod etik.

Ndërsa, zëdhënësi tjetër, Michael Doyle, u shpreh se qytetarët e Kosovës duhet të besojnë se Specialja sjell vendime të drejta, dhe se vendimi i gjyqtarëve bazohet vetëm në prova.

Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme që viktimat dhe dëshmitarët të mund të japin dëshmi në një mjedis të sigurt dhe të dinjitetshëm.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Hagë.

Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata Speciale, deri më tani, ka shpallur dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit./Telegrafi/

Read Previous

Kërkesa e PE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës

Read Next

Begaj sot në Kosovë