Sulmi ajror i të premtes në kryeqytetin e Ukrainës, ka dëmtuar “disa misione diplomatike”, duke përfshirë atë të Portugalisë, por edhe Argjentinën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, shkruan gazeta italiane “la Repubblica”.
Në mungesë të ambasadorit rus në Lisbonë, “i ngarkuari me punë i Federatës Ruse tashmë është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të paraqitur një protestë formale”, saktësoi qeveria portugeze në një deklaratë për shtyp.
Sulmi me raketa i mëngjesit të sotëm në Kiev dëmtoi kishën e dytë katolike më të vjetër të kryeqytetit, Shën Nikollën.
Xhamat e fasadës janë thyer dhe qendra tregtare që ndodhet përballë ndërtesës është dëmtuar rëndë nga sulmi rus, raporton Sky News.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se sulmi i sotëm në Ukrainë goditi objektivat e mbrojtjes, përfshirë komandën e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës SBU, dhe shton se ishte një përgjigje ndaj raketave perëndimore ATACMS të përdorura në sulmin ukrainas më 18 dhjetor kundër uzinës Kamensk, në rajonin e Rostov-it.
Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti. Dje, vetë Ministria e Mbrojtjes e Moskës raportoi se “gjashtë raketa operative-taktike ATACMS të prodhuara nga SHBA-të dhe 4 raketa lundrimi britanike “Storm Shadow” ishin përdorur në një sulm më 18 dhjetor nga Kievi në rajonin e Rostov-it.
Disa shpërthime të forta u dëgjuan në qendër të Kievit në një distancë të shkurtër nga njëra-tjetra, pasi autoritetet raportuan në mediat sociale se të paktën pesë raketa ishin lëshuar drejt kryeqytetit ukrainas.
Është prekur veçanërisht lagjja Golosivski ku kanë marrë flakë disa makina të parkuara në rrugë.
Disa orë më parë Kievi ishte sulmuar tashmë nga një numër i panjohur dronësh kamikaze, të cilët, sipas Administratës Ushtarake të Rajonit të Kryeqytetit, u neutralizuan nga mbrojtja.
Sulmi raketor rus i mëngjesit të sotëm në Kiev ka të ngjarë të jetë kryer me raketa balistike Kinzhal dhe Iskander/KN-23.
Kjo u raportua nga kreu i administratës ushtarake të Kievit, Sergey Popko.
“Forcat e Armatosura Ruse nisën një sulm të kombinuar me raketa në Kiev rreth orës 07:00 të mëngjesit të sotëm, ka të ngjarë që armiku të ketë përdorur raketa Kinzhal të lëshuara nga avionët MiG-31K dhe raketat balistike Iskander/KN-23 në lagjet e qytetit”, ka shkruar Popko në Telegram.
Për momentin është regjistruar vetëm një viktimë, por numri i të plagosurve ka shkuar në nëntë.
Kështu deklaroi kryetari i bashkisë së Kiev-it, Vitaliy Klitschko, siç raportojnë mediat ukrainase. /Albanianpost.com