Supremja hedh poshtë ankesën e VV-së

Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur të martën poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje me certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Partia në pushtet LVV, të premten, kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së, pasi ky i fundit urdhëroi Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.

Ankesa ishte dorëzuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Ankesa e VV-së për vendimin e PZAP-së, kishte ardhur një ditë pasi që anëtari i KQZ-së nga radhët e partisë në pushtet, Sami Kurteshi, kishte thënë se nuk do të ankohen në Supreme, pasi që, sipas tij, edhe ajo do ta ketë të njëjtin arsyetim për këtë çështje.

PZAP-ja, të mërkurën, aprovoi ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin nga KQZ për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja, KQZ-ja ishte urdhëruar që ta certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik.

Sipas PZAP-së, Lista Serbe, së bashku me kandidatët për deputetë i ka plotësuar kushtet ligjore për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) të certifikoj subjektin politik, Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024 për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më datën 09 shkurt 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së

KQZ nuk e kishte certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kjo pasi që dy anëtarë të KQZ-së, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet – Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër.

Disa prej arsyeve për moscertifikimin e Listës Serbe janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj Elek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, dhe për raportet me terroristin Milan Radojiçiç – personi i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Ndaj këtij vendimi kishin reaguar, ndër të tjerë, edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur keqardhje për moscertifikimin e subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës./Albanianpost.com

Read Previous

Studimi: Çdo cigare që pini u merr rreth 20 minuta jetë

Read Next

A pritet të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike në vitin 2025?