Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka bërë thirrje për respektim të masave anti-Covid, në mesazhin me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.
Tërnava me këtë rast i ka uruar të gjithë besimtarët mysliman, duke shtuar se ky muaj duhet që të shërbejë si urë lidhëse.
“Në këtë natë të madhe ju drejtohem të gjithë besimtarëve me urimet më të mira për fillimin e këtij muaji. Ky muaj dallohet me agjërimin që kryhet për krijuesin e gjithësisë. Përmes agjërimit manifestohet ndjesia e besimit në Zot”.
“Dimension i rëndësishëm është aspekti social që rrit ndjeshmërinë për tjetrin, afron familjet. Muaji i Ramazanit është muaji kur zbriti Kurani andaj secili prej jush le të agjëroj. Qëllimi i agjërimit është individi, familja e shoqëria dhe bërje e individit më të përgjegjshëm”, është shprehuar ai.
“Edhe ky vit muaji Ramazan na gjen me përballje me Covid-19 dhe përgëzoj të gjithë ata që ishin në vijën e parë. Zoti ju ruajt nga prekja me këtë virus. Ju ftoj që të respektoni masat dhe ta tejkalojmë këtë sfidë të kohës”, ka përfunduar ai.