Tiranë| Arrestohet një person, thyente iCloud-in dhe merrte të dhënat e qytetarëve

Një 36-vjeçar, pronar i një biznesi të shit-blerjes së aparateve telefonikë, është arrestuar gjatë operacionit policor të koduar “Wiper” nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike. Ai akuzohet për ndërhyrje të paligjshme në sistemet operative iOS dhe Android të smartphoneve, duke përvetësuar të dhënat e këtyre pajisjeve dhe duke thyer sistemin online iCloud.

Specialistët kibernetikë zbuluan aktivitetin e dyshuar duke përdorur metoda të avancuara hetimi. Operacioni u realizua pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponjat.

Arrestimi i shtetasit E. V. u bë për disa vepra penale, përfshirë “Ndërhyrjen në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrjen në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimin e pajisjeve”, “Ndërhyrjen në të dhënat e topografisë së gjysmë përçuesve” dhe “Shitjen e paautorizuar të kartave SIM”, sipas nenet 293/b, 293/c, 293/ç, 149/b dhe 293/d të Kodit Penal.

“Ky shtetas dyshohet se ka përdorur pajisje dhe programe të palicencuara, të cilat tregtohen në tregun e zi online (Dark Web). Ai ka arritur të thyejë elementët e sigurisë së smartphoneve, duke përvetësuar të dhënat e përdoruesve të mëparshëm dhe duke i kthyer pajisjet në gjendje fillestare për t’i shitur ato”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e policisë.

Deri tani janë dokumentuar 473 raste të përvetësimit të fjalëkalimeve të ndryshme. Puna për identifikimin e individëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale vazhdon, ndërsa materialet i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /Euronews.al/

Read Previous

Pamje të reja zbulojnë momentet e fundit para fundosjes së jahtit “Bayesian”

Read Next

Deschamps lë jashtë Mbappe-n, Franca përballet me Izraelin dhe Belgjikën pa kapitenin