Sigurimi i disa anije që i përkasin “flotës hije” ruse është i pamjaftueshëm në mbrojtjen e mjedisit në Detin Baltik.
Transportues të naftës ruse në përpjekje për t’iu shmangur sanksioneve për shkak të kostos së lartë në sigurimin e mjaftueshëm në ruajtjen nga rrjedhja e naftës, rrezikojnë dëmtimin e mjedisit në Detin Baltik.
Sipas dokumenteve të zbuluara nga ‘Financial Times’ (FT), e cila raporton për këtë çështje, por edhe organizata joqeveritare daneze ‘Danwatch’, disa anije që operojnë në Detin Baltik mbështeten në politikat e sigurimit që mund të anulohen lehtësisht, nëse do të pësojnë një aksident, transmeton RTKlive.
Marrëveshjet e papërshtatshme të sigurimit mund të çojnë në kosto të mëdha për shtetet bregdetare të Evropës dhe Azisë për të luftuar derdhjet e mundshme të naftës. Kërcënimi gjithashtu ka të bëjë konkretisht me Finlandën, pasi anijet me naftë ruse kalojnë brigjet finlandeze në Detin Baltik.
Sigurimi i papërshtatshëm ka të bëjë me të ashtuquajturën flotë hije të Rusisë.
Në vitin 2022, vendet e G7 të ekonomive të zhvilluara, Bashkimi Evropian dhe Australia vendosën një tavan çmimi prej 60 dollarësh për fuçi për naftën bruto ruse të transportuar nga deti.
Kompanitë perëndimore të anijeve dhe kompanitë e sigurimeve detare janë lejuar që atëherë të ofrojnë shërbimet e tyre për cisternat që transportojnë naftë ruse, vetëm nëse nafta është shitur me një çmim maksimal prej 60 dollarë për fuçi. Megjithatë, Rusia e ka anashkaluar tavanin e çmimeve me një “flotë hije” cisternash, financimi dhe sigurimi i të cilëve janë nga vende të tjera sesa vendet perëndimore që kanë vendosur sanksione. Rusia ka gjetur blerës të rinj për naftën bruto, veçanërisht në Azi./rtklive/