Tre serbë janë ndaluar nga Policia e Kosovës, të mërkurën pasi që të njëjtit kanë kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë në mënyrë ilegale.
Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, teksa rastet janë iniciuar si “Kalim i paautorizuar i kufirit”.
Të dy rastet kanë ndodhur në komunën e Kamenicës.
“Policia në një pikë kontrolli të automjeteve ka ndaluar të dyshuarin mashkull shtetas të Serbisë, ku gjatë verifikimit është vërtetuar se i njëjti me veturën e tij me targa të Serbisë kishte kaluar ilegalisht kufirin Serbi- R. Kosovës”, thuhet për rastin e parë.
Kurse lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti është në procedurë hetimore.
Ndërsa, për rastin e dytë të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Policia në një pikë kontrolli kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë me dy të dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë ku dyshohet se kishin hyrë nëpër rrugë ilegale nga Serbia në Republikën e Kosovës”.
Kurse, katër raste të tjera nga policia janë iniciuar si “Armëmbajtje pa leje – përdorimi i armës”.
Rasti i parë ka ndodhur në komunën e Rahovecit.
“Me 11.09.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti me datën e lartcekur, gjatë një ahengu familjar dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë me 27 copë gëzhoja”.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar.
Edhe në Gjakovë, policia ka konfiskuar një pistoletë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti përmes një video-incizimi është parë duke shtënë me armë zjarri në ajër. Nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë”.
Në Obiliq, janë konfiskuar dy armë zjarri me tetë fishekë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe konfiskuar: dy armë zjarri me tetë copë fishekë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Rasti tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që te i njëjti gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gas si dhe një karikatorë me pesë fishekë”.
Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /Albanianpost.com