Presidenti Donald Trump krijoi të premten një Task Force të Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës 2026 duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv në Zyrën Ovale së bashku me Gianni Infantino-n, presidenti i FIFA-s, organi qeverisës i futbollit botëror.
Misioni i grupit të punës është të “tregojë krenarinë dhe mikpritjen e Kombit duke promovuar rritjen ekonomike dhe turizmin”, sipas urdhrit. Trump do të kryesojë trupin.
SHBA-të po përgatiten të bashkë-organizojnë turneun sportiv më të ndjekur në botë së bashku me Kanadanë dhe Meksikën mes tensioneve gjeopolitike në rritje, ndërsa Trump përshkallëzon një luftë tregtare me aleatët e vjetër.
I pyetur në lidhje me bashkë-organizimin e turneut me fqinjët pasi i goditi ata me tarifa, Trump tha se kjo vetëm sa shton dramën në fushë.
“Unë mendoj se do ta bëjë atë më emocionuese”, tha Trump. “Tensioni është një gjë e mirë”.
Infantino, presidenti i FIFA-s, ofroi vlerësime të ndikimit ekonomik që turneu do të ketë në SHBA.
Sipas tij, midis Kupës së Botës 2026 dhe Kupës së Botës për Klube më pak të njohur 2025, e cila gjithashtu do të organizohet në SHBA, vendi do të arkëtojë rreth 40 miliardë dollarë.
Infantino supozoi gjithashtu se këto turne do të shtojnë 200 mijë vende pune në SHBA dhe do të sjellin 10 milionë turistë.
Infantino gjithashtu shfrytëzoi rastin në Zyrën Ovale për të zbuluar trofeun e ri për Kupën e Botës për Klube të FIFA-s. /Albanianpost.com