Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump po konsideron emërimin e rivalit presidencial republikan, guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis si sekretar të Mbrojtjes, raporton Politico.
DeSantisi do ta zëvendësonte Pete Hegsethin, të cilit po i zbehen gjasat për ta marrë pozitën e sekretarit të Mbrojtjes mes akuzave për sulme seksuale dhe abuzim me alkoolin.
Por Trumpi ende s’ka marrë vendim përfundimtar.
Sjellja e DeSantisit në administratën e Trump mund të ndihmojë perspektivat politike të guvernatorit duke pasur parasysh se është me mandat të kufizuar dhe është planifikuar të largohet nga detyra në fillim të vitit 2027, kur parashikohet se ai mund të kandidojë përsëri për t’u zgjedhur kandidat presidencial nga republikanët.
Hegseth do të takohet me senatorë këtë javë dhe do të paraqitet në Fox News të mërkurën në një intervistë më nënën në përpjekje për të gjetur mbështetje për nominimin e tij. Duke supozuar se demokratët do ta kundërshtojnë, mjaftojnë tre senatorë republikanë të kundërshtojnë që Hegseth të mos zgjidhet.
Hegsethit po i zbehen gjasat për shkak të një akuze për sulm seksual në vitin 2017 dhe për shkak që nuk ka përvojë në drejtimin e ndonjë organizate të madhe, e lëre më një të tillë komplekse si Pentagoni. Perspektiva për të qenë sekretar i Mbrojtjes u përkeqësua edhe më shumë pasi The New Yorker raportoi se Hegseth u detyrua të largohej nga pozicionet drejtuese me dy organizata veteranësh mes akuzave për keqmenaxhim, abuzim me alkoolin dhe sjellje të pahijshme seksuale./koha.net/