Pas një rishikimi paraprak të të dhënave të vaksinave AstraZeneca kundër COVID-19, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) konkludoi javën e kaluar se vaksinimi nuk shoqërohej me një rrezik në rritje të mpiksjes së gjakut.
Numri i mpiksjeve të raportuara pas vaksinimit ishte në të vërtetë më i ulët sesa pritej në popullatën e përgjithshme, tha EMA në një konferencë shtypi të enjten.
Por një nëngrup i popullatës së vaksinuar përjetoi më shumë mpiksje gjaku se normalja: gratë nën moshën 55 vjeçare, raporton businessinsider.
Gratë e reja janë në një rrezik më të lartë për të zhvilluar lloje të caktuara të mpiksjes së gjakut pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinës, tha Mary Cushman, profesoreshë e mjekësisë në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Vermontit, Larner. Kontrolli hormonal i lindjes dhe shtatzënia mund të luajnë një rol në këtë rrezik të ngritur, transmeton Telegrafi.
Sabine Straus, kreu i komitetit të sigurisë së EMA, tha në konferencën e enjte se një rrezik në rritje i mpiksjes për shkak të pilulave të kontrollit të lindjes është “gjithmonë një mundësi e veçantë”, dhe EMA mund ta hetojë atë më tej në të ardhmen e afërt.
Ajo shtoi se COVID-19 ka qenë e lidhur edhe me mpiksje vdekjeprurëse të gjakut – kështu që vaksinimi do të ndihmojë në parandalimin e mpiksjeve duke ulur shansin tuaj për t’u infektuar nga coronavirusi. /Telegrafi