Përveç rritjes domethënëse të trajtimit financiar të trupave specialë të Forcave të Armatosura, Ministria e Mbrojtjes po investon me ritme të shpejta edhe në armatim e pajisje.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri të ditur sot se dy prioritetet kryesore mbeten kapitali njerëzor dhe modernizimi i mjeteve.
Vengu ndau në rrjetet sociale një videomesazh të snajperëve të Forcave Speciale, të cilët kanë tashmë në përdorim snajperin kalibër 12.7 mm.
Vengu theksoi se kjo armë rrit ndjeshëm kapacitetet dhe aftësitë e Forcave të Armatosura në operacione specifike.
“Snajperi është një rol që kërkon aftësi, shënjestër por edhe armatim modern. Forcat Speciale shqiptare janë pajisur me snajperët e rinj të kalibrit 12.7 mm. Kjo armë përdoret kundër mjeteve të kundërshtarit, që janë të blinduara ose jo dhe kundër prishjes së stacioneve fikse të kundërshtarit”, u shprehën snajperët e Forcave Speciale.
Sipas tyre, arma e re ka avantazhet e saj, megjithatë arma moderne ka nevojë për profesionistë.
“Arma ka ndryshe kalibrin që është më i madh dhe na ofron një qitje me distancë më të largët se ato që kishim në përdorim. Armët që përdornim e kanë saktësinë 1-800 metra ose deri në 1200 metra, dhe kjo na lejon të gjuajmë deri në 2 mijë metra me saktësi precize”, u shprehën snajperët e Forcave Speciale. /ATSH/