Ditë më parë ishte paralajmëruar ngritje e cmimit të biletës së autobusëve për relacionin Gjakovë-Prishtinë dhe anasjelltas nga disa prej kompanive të udhëtimit.
Kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve në Gjakovë Kadri Rrahmani kishte thënë në një prononcim për Tv SYRI se nuk është marrë ndonjë vendim për rritje të çmimit të biletës mirëpo një gjë e tillë mund të bëhet në mënyrë individuale nga secila kompani. Sipas informatave deri më tani vetëm njëra nga kompanitë e cila është e njohur për redaksinë ka bërë ngritjen e cmimit të biletës nga 4 euro sa ishte në 5 euro.
Tv SYRI ka kontaktuar përmes telefonit me të gjitha kompanitë që operojnë në relacionin Gjakovë – Prishtinë dhe ka kuptuar që akoma nuk është bërë ngritja e cmimit të biletës nga këto kompani. Për paralajmërimin e këtyre çmimeve më së shumti kanë reaguar studentët, të cilët nuk kanë përjashtuar bojkotimet dhe protestat nëse ndodh të rriten cmimet e biletave të transportit apo edhe të ndryshojnë.