Vetëvendosje: Institucionet e reja duhet të formohen brenda javësh

Lëvizja Vetëvendosje (LVV)) është shprehur e gatshme që të formojë institucionet e reja të vendit, sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), shpalli rezultatet nga të cilat fitoi bindshëm LVV-ja, me 49,95 për qind të votave, duke siguruar kështu 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, zëdhënësi i LVV-së, Përparim Kryeziu ka thënë për KALLXO.com se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit është historik jo vetëm për nga numrat por edhe për nga domethënia e tij.

“Kemi humbur shumë kohë, sidomos në vitin e fundit. Kujtojmë se vendi ka më shumë se tetë muaj me një qeveri jolegjitime dhe të jashtëligjshme. Në anën tjetër sfidat janë të shumëfishta”, është shprehur ai.

Kryeziu ka shtuar se besojnë që institucionet e reja duhet të bëhen brenda javësh.

“Me t’u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm që menjëherë të konstituohet Kuvendi, formohet Qeveria dhe zgjedhet Presidentja si domosdoshmëri për vendin por edhe si realizim i vullnetit të qytetarëve. Prandaj, besojmë që kjo duhet ndodhë brenda javësh, por assesi brenda muajsh”, thuhet në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Kandidati i LVV-së për kryeministër është Albin Kurti, ndërkaq Vjosa Osmani ka kandiduar për pozitën e presidentes. Nga këto zgjedhje, Osmani është personi më i votuar në Kosovë, me mbi 300 mijë vota.

Read Previous

Ajlin Alfredaj Palnikaj ndan me ne pengun më të madh të jetës

Read Next

31 ankesa në PZAP pas shpalljes së rezultateve nga KQZ