Kryetari Ardian Gjini gjatë mbledhjes së mbajtur sot prezantoi disa nga projektet kryesore të vitit 2022. Ai tha se pritet të përfundojë konstrukti i tribunave të stadiumit të qytetit, rregullimi i infrastrukturës bazike në Rezinë apo siç njihet Gjakova e re si dhe bashkë me Qeverinë do të diskutohet për hekurudhën që pritet të kalojë nga qyteti.
Për tërë këto pika pati diskutime nga opozita. Çka ngjalli më tepër debat ishte momenti i themelimit të komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronës publike, që nga Vetëvendosje u konsiderua që opozitës nuk po i krijohet hapësira e duhur. Poashtu Vetëvendosje vlerësoi se përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk janë adekuat për këto komisione, për çka edhe pas replikave lëshuan sallën.
Këshilltarët komunalë të LDK-së sallën nuk e lëshuan por deklaruan se nuk do të votojnë këto komisione.
Kuvendi vazhdoi punën pasi që u konsiderua se ka kuorum të mjaftueshëm. Në fund u votua edhe për themelimin e disa Komisioneve Komunale të aksionarëve për Ndërmarrjet publike si KRM Çabrati, Stacioni i autobusëve si dhe komisioni komunal për Ndërmarrjen Publike Ngrohtorja e Qytetit.