Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha me anëtarë të kësaj partie pas takimit që kanë zhvilluar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti tha se kjo parti nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, ndërsa konfirmoi se janë takuar edhe me partitë opozitare.
Por shtoi se do të jenë prezent ne kuvend në seancën konstituive të 15 marsit.
“Biseduam për një bashkëpunim të mundshëm mes nesh. Ne në parim nuk kemi vija të kuqe me askënd Për pjesë. Normlaisht qe ne patëm kërkesat tona për nevoja të komunitetit. Ne do të jemi në kuvend në ditën kur do të mbahet seanca konstituive, sepse jemi pjesë e Kuvendit. Ndërsa për pjesën tjetër, ne jemi të gatshëm me bashkëpunuar, por sigurisht që kemi me I pasur kërkesat tona që janë legjitime dhe të nevojshme, për investime në infrastrukturë sa i përket komunitetit, investime për shkollim, por edhe në aspektin ligjor pasi që ka diskriminim”, tha ai.
Kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje pas takimit me që zhvilloi me kryeministrin në detyrë Kurti tha se kushtet që ia ka vendosur qeverisë, e që janë komuna e boshnjakëve, reformat në arsim dhe trajtimi i barabartë i çdo deputeti, nuk kanë ndryshuar.
Megjithëse, para mediave, Balje thotë se nga kryeministri në detyrë nuk morën ndonjë konfirmim, dhe as nuk dhanë një të tillë.
Kurti sot takoi edhe Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme Albin Kurti ka bërë të ditur se ka filluar konsultimet me komunitetet jo shumicë për formimin e qeverisë së re. Ai tha të mërkurën se ka takuar kryetaren e Partia e Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ku diskutuan mbi formimin e qeverisë së re.
Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, me 42.3 për qind. E dyta renditet, PDK me 20.95 për qind, pasuar nga LDK 18.27 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind. Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8, dhe komunitetet jo shumicë 20 ulëse të rezervuara.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /KosovaPress/