Von der Leyen: E mirëpres heqjen e kufizimit për eksportet nga Serbia në Kosovë

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka thënë të hënën se e mirëpret vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimit për mallrat që hyjnë nga Serbia, duke shtuar se tregtia e lirë në Ballkanin Perëndimor është çelësi për funksionimin e tregut të përbashkët rajonal dhe integrimit ekonomik evropian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të Procesit të Berlinit, ajo ka thënë se arritja e marrëveshjes në kuadër Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) është një lëvizje konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit.

“Kjo është arsyeja pse Procesi i Berlinit luan një rol kyç. Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë forca shtytëse pas integrimit ekonomik rajonal dhe promotori i tregut të përbashkët rajonal. Është thelbësore që ky treg i përbashkët rajonal të funksionojë pa probleme”, ka nënvizuar presidentja e KE-së pas Samitit të Procesit të Berlinit.

“Unë e mirëpres marrëveshjen e arritur javën e kaluar në kuadër të CEFTA-s. E mirëpres veçanërisht heqjen e kufizimit për eksportet nga Serbia në Kosovë dhe i përgëzoj të dyja palët për shfaqjen e një vullneti të tillë politik. Gjithashtu, përgëzoj ndërmjetësimin e Germanisë sepse ky është një hap konkret drejt normalizimit”. /Albanianpost.com

Read Previous

UNICEF: Një në shtatë adoleshentë në BE vuan nga çrregullime mendore

Read Next

NASA do të nisë një sondë për të studiuar nëse hëna e Jupiterit Europa mund të mbajë jetë