Von der Leyen nga Procesi i Berlinit: Drejt një të ardhmeje me gjashtëshen ballkanike brenda BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në 10-vjetorin e nismës së Procesit të Berlinit, ka theksuar se është koha për të parë përpara, drejt një të ardhmeje ku gjashtëshja ballkanike, do të përfshihet në Bashkimin Evropian.

Përmes një publikimi në X, von der Leyen shkruan se është mirë të jesh në Berlin me partnerët ballkanikë, për të parë arritjet e shkuara, por veçanërisht për të shtruar rrugën përpara.

“Drejt një të ardhmeje ku të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit tonë”, shkruan von der Leyen, e cila përpara fillimit të Samitit, ka pasur një takim edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, mikpritës i takimit.

Samiti

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen paraditen e 14 tetorit në Gjermani, nga kancelari Olaf Scholz, ku do të shënjohet edhe 10-vjetori i nismës së Procesit të Berlinit.

Në këtë takim, Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili do të jetë i pranishëm së bashku me përfaqësues nga pesë vendet e tjera rajonale.

Të pranishëm njëkohësisht priten të jenë edhe liderë evropianë, më konkretisht presidentja e saporizgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas një draft-agjende të publikuar, pritja zyrtare e delegacioneve do të bëhet nga vetë Scholz dhe do të nisë në orën 09:30 në Berlin.

Më pas, në orën 10:00 do të bëhet hapja zyrtare e Samitit nga Scholz dhe më tej do të vijohet me dy sesione të ndara nga një pushim dhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve.

Një konferencë për shtyp gjithashtu pritet të zhvillohet rreth orës 14:00, pas një dreke pune mes delegacioneve.

Këtu do të jenë pjesë Scholz dhe von der Leyen për të prezantuar arritjet e Samitit, por nuk bëhet me dije nëse krerët shtetërorë do të kenë konferenca të tjera për shtyp, për të reflektuar pikëpamjet e tyre.

Samiti i fundit i Procesit të Berlinit është mbajtur në Tiranë më 16 tetor 2023, e para herë kur mbahej jashtë kufijve të Evropës, duke arritur edhe një sërë konkluzionesh, mes të cilave plani i rëndësishëm dhe ambicion i Bashkimit Evropian për rritjen e rajonit.

Konkluzionet e Kryesuesit të Procesit të Berlinit të publikuara pas samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, të mbajtur më 16 tetor, mirëpritën Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të lëvizshmërisë të nënshkruara në vitin 2022.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) përshëndetën shpalljen e një Plani të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, siç përvijohet nga Presidenti i Komisionit Evropian në maj 2023, dhe shprehën angazhimin e tyre për avancimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të Përbashkët Rajonal përmes përshpejtimit të reformave të brendshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar”, shkruhet në dokumentin e parë nga Albanian Post.

Ato inkurajuan gjithashtu përpjekjet evropiane për t’u angazhuar me Kosovën dhe Serbia pas sulmit të Banjskës.

Pjesëmarrësit theksuan fuqimisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në klimën aktuale të pasigurisë gjeopolitike dhe konflikteve të vazhdueshme në tokën evropiane.

“Pjesëmarrësit shprehën shqetësimin për ngritjen e fundit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që çoi në dhe pas sulmit ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjes së një rreshteri të policisë së Kosovës dhe plagosjes së tre të tjerëve, më 24 shtator. Ata theksuan se zhvillimet e fundit kërcënojnë paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon, si dhe shtyjnë përpjekjet e pajtimit të BE-së dhe partnerëve të tjerë strategjikë në Ballkanin Perëndimor”, vijon dokumenti final.

Dokumenti thekson po ashtu nevojën për të forcuar lidhjet në fusha të ndryshme, duke përfshirë transportin, tregtinë, energjinë dhe lidhjet digjitale. Qëllimi, siç u përmend, është të nxisë lidhje më të ngushta brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit shprehën nevojën urgjente për të kapërcyer hendekun socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Dokumenti ravijëzon mbështetjen e pjesëmarrësve për monitorimin e strukturuar periodik të konvergjencës ekonomike të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Ai gjithashtu vë në dukje interesin e tyre për të eksploruar rrugët për pjesëmarrje në takimet dhe forumet e BE-së kur diskutohen fusha me interes të përbashkët.

Konkluzionet përshëndetën hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të lëvizshmërisë të nënshkruara në Berlin në nëntor 2022 për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Dokumenti përmend gjithashtu hyrjen në fuqi të tarifave të reduktuara të roaming të të dhënave midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që nga 1 tetori 2023, bazuar në Deklaratën e Roaming-ut.

Sipas dokumentit, liderët shprehën dëshirën e tyre për integrimin gradual të institucioneve dhe politikave të arsimit, shkencës dhe rinisë të Ballkanit Perëndimor në fushat dhe mekanizmat përkatës të BE-së.

Ata mirëpritën konkluzionet e Forumit Rinor të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Shqipëri më 6 tetor 2023 dhe nënvizuan rëndësinë e forcimit të mekanizmave rajonalë dhe skemave të BE-së për të nxitur lëvizshmërinë e të rinjve dhe shkëmbimet kulturore në rajon, duke nxitur ndërtimin e paqes dhe pajtimin.

Më tej, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e rritjes së investimeve në transport dhe lidhje hekurudhore, si brenda Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe ndërmjet rajonit dhe BE-së, siç thuhet në dokumentin zyrtar.

Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë rajonal në fushat e politikave që lidhen me sigurinë.

Ata pohuan po ashtu nevojën për shkëmbim më të madh informacioni midis Ballkanit Perëndimor dhe Task Forcave të Përbashkëta të BE-së, krahas ushtrimeve të përbashkëta që synojnë adresimin e aspekteve specifike të krimit të organizuar, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e emigrantëve dhe trafikun e drogës.

Dokumenti theksoi se pjesëmarrësit inkurajuan përpjekjet evropiane për të zhbllokuar dialogun e normalizimit të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të promovimit të bashkëpunimit rajonal brenda vendeve të BP6-ës.

Ata theksuan nevojën për nisma të përbashkëta evropiane dhe mekanizma të përshtatur në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik, rinia, arsimi dhe bashkëpunimi ndër-grupor i shoqërisë civile.

Vendet kërkuan gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe Shteteve Anëtare për përpjekjet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe përparimin në rrugët e tyre të pranimit në BE.

Së fundi, pjesëmarrësit përsëritën rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore për perspektivat e BE-së të Ballkanit Perëndimor. Ata propozuan përfshirjen e kushteve të forta në lidhje me zbatimin e angazhimeve rajonale dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në kriteret e zbatimit të Planit të Rritjes. /Albanianpost.com

Read Previous

Kurti pas takimit me Scholz tha se po i pret “me padurim” diskutimet dhe rezultet nga samiti i sotëm i Procesit të Berlinit

Read Next

Vetëvendosja e quan propagandë çështjen e ushqimit në FSK