Futbollisti legjendar anglez, Wayne Rooney ende “nuk mund të besojë” që ndoshta ndeshja më e famshme në historinë e Ligës Premier nuk është nën hetim.
Bëhet fjalë për fitoren 3-2 të Manchester Cityt ndaj Queens Park Rangers në xhiron e fundit të edicionit 2011/12 në Ligën Premier.
Me atë rast, Manchester City fitoi titullin e kampionit të Anglisë me gola në kohën shtesë. Golat e rikthimit i shënuan Edin Dzeko dhe Sergio Aguero, duke u bërë kështu “të pavdekshëm” në historinë e futbollit anglez.
Kështu, City i ‘vodhi’ titullin Manchester Unitedit, edhe pse Djajtë e Kuq e kishin përfunduar ndeshjen në një stadium tjetër dhe tashmë po festonin suksesin.
Legjenda e Unitedit, Rooney është ende i frustruar nga ai moment që, pavarësisht titujve dhe trofeve të shumtë, shënoi karrierën e tij. Ish-kapiteni i Unitedit ende nuk mund ta besojë pse ndeshja nuk u hetua për trukim.
“Natyrisht ishte e vështirë të mbrohej QPR, por a nuk ia dorëzoi topin Cityt, Paddy Kenny? QPR e dinte se kishte siguruar rënien nga kategoria, City barazoi 2-2 dhe më pas QPR ia ktheu topin përsëri. Ata e kishin Cissen në fushë, Barton u përjashtua për sjellje idiote, Wright-Phillips dhe Onuoha janë aty… Kjo duhej të ishte hetuar patjetër”, ka thënë Rooney në podcastin Overlap.
Kjo nuk është hera e parë që Rooney thotë publikisht se ndeshja City – QPR duhet të hetohet.
“Paddy Kenny duhet të ishte më i mirë në disa gola. City shënon golin e dytë dhe QPR ia kthen topin. Kjo nuk ishte kurrë në diskutim dhe Djibril Cisse feston në fund me lojtarët e Cityt”, kishte thënë Rooney më herët. /Telegrafi/