Ylli brazilian përballet me një përjashtim të përjetshëm nga futbolli

Ylli i West Ham United dhe Brazilit, Lucas Paqueta po përballet me mundësinë e një ndalimi të përjetshëm për të luajtur futboll, të gjitha për shkak të basteve.

Paqueta u paraqit për herë të fundit në gjykatë më 5 shkurt të këtij viti dhe Federata Angleze e Futbollit (FA) do të shqyrtojë të gjithë situatën këtë muaj, me një ndalim të përjetshëm për të luajtur futboll.

Çështja vlerësohet të zgjasë tre deri në katër javë dhe vendimi do të jepet nga Bordi i Apelit i Anglisë. Palët do të mund të ankohen sërish në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Zvicër, si shkallë përfundimtare.

Mund të duhet deri në një vit që të shpallet vendimi përfundimtar dhe gjatë kësaj kohe futbollisti mund të luajë për klubin e tij.

Akuzat u njoftuan në maj 2024, kur FA e akuzoi zyrtarisht Paquetën për marrjen e qëllimshme të kartonëve të verdhë në katër ndeshje të ndryshme, duke thënë se braziliani “u përpoq të ndikojë në zhvillimin, rrjedhën ose çdo aspekt tjetër të ndeshjeve duke tentuar qëllimisht të marrë një karton nga një gjyqtar me qëllimin e pahijshëm për të ndikuar që një ose më shumë persona të përfitojnë nga tregu i basteve”.

Fitimet e bastvënësve nga kartonët e verdhë të Paquetas arritën në 100 mijë funte, me shumë baste të bëra nga vendlindja e yllit të West Ham pranë Rio de Zhaneiros.

Ende nuk dihet nëse Paqueta, në rast të ndalimit të përjetshëm për të luajtur nga FA, do të mund të vazhdojë të luajë futboll jashtë Anglisë.

Paqueta është anëtar i West Ham që nga viti 2022, pasi ka arritur në një transferim prej 43 milionë eurosh nga Lyon. Ai ka luajtur 55 ndeshje për kombëtaren braziliane. /Telegrafi/

Read Previous

Unitet në samitin e BE-së për Ukrainën

Read Next

Intervistimi në Prokurori, Zyra e Kryeministrit del me një sqarim