Gjatë një interviste për gazetën “AS,” ish-sulmuesi i Interit, Ivan Zamorano, shprehu mendimin e tij rreth ndryshimit të atmosferës në stadiumet spanjolle dhe fyerjeve që Vinicius Jr. ka marrë: “Oh, Zoti im. Edhe mua më thoshin: ‘Iván Zamorano, je cigan…”.
“Sigurisht që e kuptoj Viniciusin dhe mendoj se ka të drejtë që është lodhur nga ato që i thonë. Sjellja ndaj tij është e padrejtë, por fakti që La Liga dhe drejtësia spanjolle po përpiqen të ndalojnë këtë dhunë verbale kundër lojtarëve të huaj ose me ngjyrë, është një hap i madh përpara.”
“Tani ka më shumë ndërgjegjësim për këtë problem, por në kohën kur luaja unë, ishte diçka që e konsideronim ‘normale’. Njerëzit mendonin se ishte normale të të ulte morali me fyerje. E vërteta është se mua nuk më prekte kurrë, as Fernando Redondo, as Freddy Rincón, as Míchel, që dha gjithçka për ekipin, edhe pse ishte spanjoll.”
“Ne ishim të përqendruar tek loja dhe nuk mendonim t’i përgjigjeshim tribunave. Në fund të fundit, është një çështje edukimi. Nuk e kuptoj pse dikush do të shkonte në stadium për të fyer, në vend që të shijojë futbollin.”
“Ndikon në performancën e Viniciusit? Nuk e di. Është e vërtetë që të gjitha këto gjëra e shqetësojnë, por ai duhet ta kuptojë se është një lojtar thelbësor për Real Madridin. Jam i bindur se do të vijë një moment kur nuk do t’i kushtojë më aq rëndësi. Sa më shumë të fokusohet tek ajo që bën, aq më mirë do të jenë gjërat për të dhe ekipin,” përfundoi Zamorano. /Telesport.al/