Diskutimi i gjatë midis presidentëve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka mjaftuar për të formuluar një plan të detajuar paqeje.
Njoftimi u bë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një konference për shtyp në Konferencën e Sigurisë, në Mynih.
“Për sa i përket presidentit Trump, ne patëm një bisedë, një bisedë të gjatë, një bisedë të mjaftueshme për të diskutuar disa detaje. Por, nuk ishte e mjaftueshme për të formuluar një plan – definitivisht jo e mjaftueshme. Ne dëgjuam njëri-tjetrin”, tha Zelensky.
Pavarësisht kësaj, ai e cilësoi bisedën pozitive.
“Pati shumë pyetje. Ne diskutuam situatën në front. Ne folëm për raporte të ndryshme, për humbjet reale të Rusisë. Ndonjëherë shifrat tona ndryshojnë… Por kjo është një çështje teknike. Pyetja kryesore është – çfarë do të bëjmë më pas?”, theksoi Zelensky.
Gjithashtu, presidenti ukrainas tha se gjatë takimit të tij me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance, ai kishte marrë sinjale të forta nga pala amerikane.
“Pala amerikane dërgoi sinjale të forta. Edhe pse duhet të them, ato janë të ndryshme. Unë mund të komentoj vetëm atë që dëgjoj si një president duke dëgjuar një president tjetër. Lidhur me çështjet e sigurisë, e di që do të takohemi sot me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance. Dua ta diskutoj këtë me të. Sinjalet e tij ishin të forta”, shtoi Zelensky. /ATSH-UKRINFORM/