Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me ministra të jashtëm të vendeve të ndryshme, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Forumin Diplomatik në Antalya.
Krahas takimeve me homologët pjesëmarrës, Osmani është takuar veçmas me ministrat e jashtëm të Sudanit, Kenias, Jordanisë, Tanzanisë, Çadit dhe Nigerit.
Në fokus të këtyre takimeve ishte zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre shteteve, me theks të veçantë në hapjen e kapitujve të rinj në fusha strategjike, si dhe forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore përmes diplomacisë.
“Të gjitha këto takime ishin të përqendruara në diskutimin e potencialit për thellim të bashkëpunimit në dobi të shteteve dhe qytetarëve tanë. Në veçanti, u diskutua hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha strategjike, si dhe rëndësia e përdorimit të diplomacisë në shërbim të ndërtimit të raporteve të mirëfillta e alencave të reja”, shkroi Osmani në një postim në Facebook.
Presidentja theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një politike të jashtme aktive.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një politike të jashtme aktive në shërbim të qytetarëve tanë”, tha Osmani. /Telegrafi/