Një person është lënduar rëndë dhe një tjetër ka pësuar lëndime më të lehta trupore si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer nga ndezja e fishekzjarrëve në një pikë shitjeje në trotuar në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në mbrëmjen e 31 dhjetorit.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh, i lënduari rëndë është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. E në QKUK të martën në mbrëmje kanë bërë të ditur se i lënduari është dërguar në sallë operative.
Shefi i Emergjencës në QKUK, Agron Çitaku, ka thënë për mediat pas mesnatës se gjendja e të lënduarit në Prizren është shumë e rëndë.
“Gjendje shumë e rëndë dhe është pikëpyetje, por megjithatë po mundohemi të bëjmë diçka. Ai fatkeqësisht është gjeneratë e re e vitit 1999. Si duket ka qenë një eksplodim shumë i madh, megjithatë sipas informatave që kemi janë shtatë-tetë raste që janë ndalur në Prizren. Lëndimet kanë qenë të mëdha praktikisht të krejt trupit, shumë të rënda, sidomos të ekstremiteteve, të kokës dhe fytyrës”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit nga Policia, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer janë shkaktuar dëme materiale në banesa, lokale dhe automjete.
Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin.
Ndërsa një qytetar ka publikuar pamje nga kamerat në pronën e tij. Arsim Gjinovci ka thënë se i janë dëmtuar gati të gjitha dritaret e shtëpisë. Ai është ankuar në mosreagimin e autoriteteve./Koha.net