Zv.ministri Qorrolli: Derisa të kalojë vettingu, do të miratojmë ligjin për integritetin e gjyqtarëve

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli akuzon Gjykatën Kushtetuese se për qëllime politike po e vonon vendimmarrjen për Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Ai thotë se derisa të sigurohen votat në Kuvend për vettingun do të miratojnë ligjin për integritetin dhe statusin e gjyqtarëve. Megjithatë, sipas tij për miratimin e këtij ligji ka rezistencë nga Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor.

I dyti në dikasterin e drejtësisë thotë se kritikat e pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë nuk paraqesin ndërhyrje në punën e tyre, pavarësisht vërejtjeve në raportet ndërkombëtare.

Qorrolli në intervistë për KosovaPress thotë se votat e dyfishta të komuniteteve në Kuvend për ndryshimet kushtetuese e kanë pezulluar vettingun në drejtësi. Ai thotë se si plan ‘b’ është miratimi i ligjit për integritetin dhe statusin e gjyqtarëve, ku do të bëhej vlerësimi i performancës dhe integritetit në baza të vazhdueshme.

“Ne kemi marrë zotim të përbashkët që të bëjmë një plotësim të ligjeve ekzistuese dhe pastaj të fusim një ligj të ri, i cili do të jetë për herë të parë, ligj për integritetin dhe statusin e gjyqtarëve. Në mënyrë që integriteti dhe performanca e tyre të bëhet mbi baza të vazhdueshme të vlerësimit të tyre. Ne ballafaqohemi si shoqëri me një ngadalësi të sistemit gjyqësor. Ne tash së jemi në diskutime megjithëse ka rezistencë nga Këshillat respektiv…Deri sa të kalojë (vettingu) në kuvend. Pasi ideja është që ajo të jetë reformë kushtetuese dhe kjo është reformë ligjore. Ka një rezidencë nga Këshillat pasi ka një tendencë që kjo të kalojë përmes disa kërkesave që për momentin duke surrealiste, sikurse kërkesa për zgjatjen e moshës së pensionimit, kërkesa për imunitet”, thotë ai.

Qorrolli ka shprehur besimin se reforma në Këshillin Prokurorial do të realizohet dhe se ligji i ri për KPK-në që ka kaluar në lexim të parë është në përputhje me Kushtetuesen.

Qorrolli deklaron se opozitarët Kushtetuesen po e përdorin për t’i ngadalësuar reformat në drejtësi.

“Gjykata Kushtetuese nuk guxon të përdoret ‘mish për top’ as prej palëve të autorizuara, që janë minimali dhjetë deputetë. Partitë opozitare e kanë këtë mundësi kushtetuese, por nuk dua të besoj se ata çdo herë dhe çdo gjë të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk problemi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ai mund të jetë pro ose kundër. Kushtetuesja ka rrëzuar president, qeveri, por ideja është që Gjykata Kushtetuese nuk guxon të përdoret në mënyrë të paskrupullt…Ligji i ri i përmban të gjitha standardet dhe këto standarde do të jenë perëndimore në mënyrë që të ndodh reforma”, tha Qorrolli.

Kritika ndaj Kushtetueses adreson Qorrolli sa i përket vonesave për shqyrtimin e Projektligjit për byronë.

“Po bëhen 18 muaj gati që rasti është në Gjykatën Kushtetuese dhe këtë nuk e shpjegoj dot. Kam një shpjegim për të cilin disa prej anëtareve besojnë se kjo qeveri është drejt fundit të mandatit. Arsye profesionale nuk gjej dot. Një person që është zgjedhur dhe votuar si anëtar i Gjykatës Kushtuese të vonojë në mënyrë të pashpjegueshme për arsye krejtësisht politike, por jo juridike, po e zvarrit këtë rast dhe për asgjë tjetër”, thekson Qorrolli.

Sipas tij, politikës i takon e drejta e komentimit për sistemin e drejtësisë dhe çështje të tilla nuk përbëjnë ndërhyrje në drejtësi.

“Çka i takon politikës është të drejtën e komentimit, por jo të drejtën e moszbatimit të atyre vendimeve. Politika ka të drejtë….Ne dhe unë në këtë moment po jap kritik për moskuptimet e tyre kundrejt reformës. Ndërhyje në sistemin e drejtësisë është kur unë në këtë moment do të thirrja ndonjë prokuror dhe do t’i thosha liroje ‘filan fistekun’, por kjo nuk ndodh. Kjo është ndërhyrje në drejtësi kur unë i them ndonjë prokurori apo gjyqtari bëje këtë vendim. Kjo s’do të ndodh kurrë”, përfundon Qorrolli. /KosovaPress/ 

Read Previous

FSK trajnohet nga ushtria amerikane në Shqipëri

Read Next

Temperaturat e larta, personat me sëmundje të zemrës të shmangin qëndrimin në diell me çdo kusht