Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe 15 ministrat duhet të deponojnë dorëheqjet në sekretariatin e Kuvendit, ka thënë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Pas dështimit të seancës konstitutive, ai tha se i takon kryesuesit të seancës që të mbledhë deputetët në një seancë të re jo më larg se 48 orë.
“Është në përgjegjësinë e kryesuesit të seancës që të organizojë dhe të mbledhë deputetët në një seancë të radhës, më së largu 48 orë nga momenti i dështimit për shkak se nuk ka asnjë arsye që presidentja të caktojë një seancë të re. Në bazë të aktgjykimeve në fuqi të Gjykatës Kushtetuese, seanca konstituive thirret vetëm një herë, ajo mund të dështojë siç ka qenë përvoja në vitin 2014, përafërsisht gjashtë muaj por një e re nuk ka nevojë të thirret nga presidenti apo presidentja e vendit. Kjo nënkupton që një seancë e re duhet të mbahet më se voni të enjten paradite por që proceduralisht nuk përjashtohet mundësia që qysh sonte të mblidhet një seancë e re dhe që në kuptim të përfshirjes së institucioneve tjera, unë besoj që presidentja e vendit do të duhej që ta bënte të qartë që ajo e ka përmbushur obligimin e saj ligjor”, deklaroi Cakolli.
Deputetët nuk arritën të martën të kalojnë pikën e parë të rendit të ditës që ishte raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur.
Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.
Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një letre drejtuar kryetarit në detyrë të Kuvendit, tha se ai dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje.
Por, partitë opozitare deklaruan se kjo nuk është letër dorëheqjeje dhe akuzuan qeverinë që nuk ka dorëzuar me kohë dorëheqjet.
Sipas Cakollit, kryeministri në detyrë bashkë me ministrat, dorëheqjet duhet t’i deponojnë në sekretariatin e Kuvendit.
“Duhet që kryeministri Kurti dhe secili nga 15 ministrat individualisht veç e veç të deponojnë në sekretarinë e Kuvendit dorëheqjet e tyre formale, në mënyrë që këto dorëheqje pastaj nga sekretaria e Kuvendit t’i përcillen Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave, kurdo që do ta kemi një mbledhje të radhës. Besoj që nuk ka nevojë të humbet kohë me involvim të panevojshëm të presidentes, por thjesht mjafton që zotëri Dehari ta ftojë një seancë të re që është vazhdim i kësaj seance dhe që në të njëtën kohë të kërkojë nga komisioni që ta përcjellë raportin me të gjitha dorëheqjet”, u shpreh ai.
Cakolli, ndër të tjera, theksoi se zgjedhja e kryeparlamentarit do të jetë problematike dhe mund të jetë bazë juridike për të kërkuar interpretim edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Unë besoj që pika e tretë e zgjedhjes së kryetarit, besoj do të jete më problematikja sepse aty LVV si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka asnjë kufizim kohor brenda secilit duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryetar. Dhe në bazë te dy përvojave nga vitet e kaluara, në vitin 2017, koalicioni PAN në atë kohë nuk kishte propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit në kohë, por ngjashëm edhe në citin 2014, PDK nuk e kishte bërë këtë. Ekziston mundësia që LVV të mos e jap emrin duke shkaktuar një bllokadë të re. Sepse në atë situatë duhet që të thirren seanca çdo 48 orë, por që në mungesë të një afati nuk përcaktohet periudha LVV ta dërgojë emrin. Ekzistimi i këtij 48 orëshi mund të shërbejë si bazë juridike për kontestim në Gjykatën Kushtetuese, në kuptim të një interpretimi se a mund të konsumohet e drejta”, shtoi ai.
Pas ndërprerjes së seancës, Cakolli nga KDI u shpreh se mund të ketë bllokadë institucionale.
“Në fakt duke qenë se është dashur që këto dorëheqje të deponohen jo sot e dje por para disa javësh kur janë certifikuar zgjedhjet, nuk ka as një interpretim tjetër ligjor e logjik se pse nuk janë deponuar dorëheqjet në kohën e duhur e së dyti sipas procedurave protokollare. Normalisht mungesa e votave të LVV-së për ta kaluar raportin është indikator që mungojnë numrat edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit por që në parim është ende hapi i parë dhe dështimi në të është tregues mjaft i keq se mund të ballafaqohemi me situata të bllokadave institucionale”, përfundoi Cakolli. /KosovaPress/