Procesi i votimit në Kosovë deri më tani është i qetë dhe po zhvillohet pa prbleme të theksuara. Por ankesa se ngjyra materkuluese, që po vendoset në gisht si shenjë që ke votuar po shlyhet shumë lehtë, ka shumë nga ana e qytetarëve.
Qytetarët që po votonin në qendrën e votimit në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë, provuan për KosovaPress para kamerave për ta vërtetuar këtë gjë.
Sokol Sadiku tha për KosovaPress se “me pas shtëpinë afër e fshin dhe vjen prapë ndoshta”.
“Parregullsi nuk kam vërejtur, vetëm pak shkaku mendoj të numrit të deputetëve ka krijuar pak më kaos përndryshe gjithçka në rregull… Shpresoj, nuk e kanë bërë këtë… Nuk po lypka shumë me u heq… Me pas shtëpinë afër e fshin dhe vjen prapë ndoshta si ne që e kemi afër këtu”, tha Sadiku.
Edhe qytetari tjetër, Agim Luta u shpreh se njeh qytetarë që “iu është shlyer ngjyra”. Ani pse provoi për vete, atij nuk iu largua.
“Është problematike (ngjyra materikuluese), në disa raste po shlyhet, unë provova dhe nuk munda nja dy-tri herë, ndoshta kanë dallime prej vendit, se është problematike nëpër të gjitha raportimet që po bëhen, se ka pasur probleme me identifikimin e këtij shenjëzimit kush ka votuar dhe kush nuk ka votuar, diçka tjetër jo. Kam shumë raste që është shlyer”, u shpreh Luta.
Benjamin Gashi u ankua për pritjen, ndërsa për shenjën në dorë nuk iu heq.
“Pak është dashur të pres (në radhë), por në përgjithësi ka qenë shumë mirë… Nuk e kam provua ende, e provoj tash, mua nuk m’u hoq siç po shihet, por varet”, tha ai.
Edhe qytetari tjetër Bedri Braha tregon se ngjyra në gisht zgjedhjet e kaluara kanë ekzistuar disa broshura udhëzuese, e kësaj radhe ishin brenda prandaj krijonte “tollovi”.
“Në raport me zgjedhjet e kaluara në hyrje kanë ekzistuar disa broshura udhëzuese se kush ku është kësaj here ato ishin vetëm brenda dhe ajo pak krijonte një tollovi, përndryshe çdo gjë ka shkuar në rregull. Nuk e kam provuar deri në këtë moment, nuk më është hequr ende”, theksoi Braha.
Qendrat e votimit janë hapur në ora 7:00 dhe do të mbyllen në 19:00. /KosovaPress/