25 prilli shënon Ditën Botërore të Malaries, një mundësi për të nxjerrë në pah nevojën e vazhdueshme për financim dhe mbështetje politike në luftën kundër kësaj sëmundjeje të rrezikshme.
OBSH sivjet mban fushatën me moto “Malaria përfundon me ne: Riinvestoni, Riimagjinoni, Rindizni”, e cila synon të ri-energjizojë përpjekjet në të gjitha nivelet, nga politika globale te veprimi i komunitetit, për të përshpejtuar përparimin drejt zhdukjes së malaries.
Komuniteti global u ri-angazhua ndaj malaries në fund të viteve 1990 dhe, si rezultat, rreth 2.2 miliardë raste dhe 12.7 milionë vdekje janë parandaluar gjatë më shumë se dy dekadave, por pas viteve të rënieve të vazhdueshme, progresi ka ngecur.
Në nivel global, në vitin 2023, u vlerësuan 263 milionë raste dhe 597.000 vdekje në 83 vende, sipas OBSH-së. Sot, malaria merr rreth një jetë çdo minutë, ku shumica e vdekjeve ndodhin në rajonin afrikan.
Ngjarjet ekstreme të motit, konfliktet, emergjencat humanitare dhe streset ekonomike po pengojnë përpjekjet për kontrollin e malaries në shumë vende endemike, duke lënë dhjetëra miliona njerëz me qasje të kufizuar në shërbimet që u nevojiten për të parandaluar, zbuluar dhe trajtuar sëmundjen, raporton KosovaPress.
“Ne duhet të riinvestojmë në ndërhyrjet e provuara, të riimagjinojmë strategjitë tona për të kapërcyer pengesat aktuale dhe të rindezim përpjekjet tona kolektive së bashku me vendet dhe komunitetet për të përshpejtuar përparimin drejt përfundimit të malaries”, thuhet në një deklaratë të OBSH-së më rastin e kësaj dite.
OBSH thotë se përfundimi i malaries nuk është vetëm një imperativ shëndetësor, por një investim për një të ardhme më të drejtë, më të sigurt dhe më të begatë për çdo vend.
Çka është malaria?
Ajo është një sëmundje kërcënuese për jetën e përhapur te njerëzit nga disa lloje mushkonjash. Gjendet kryesisht në vendet tropikale. Është e parandalueshme dhe e shërueshme. Infeksioni shkaktohet nga një parazit dhe nuk përhapet nga personi në person.
Foshnjat, fëmijët nën 5-vjeç, gratë shtatzëna dhe vajzat, udhëtarët dhe njerëzit me HIV ose AIDS janë në rrezik më të lartë të infeksionit të rëndë.
Simptomat
Simptomat zakonisht fillojnë brenda 10-15 ditëve pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Ato mund të jenë të lehta ose kërcënuese për jetën. Simptomat e lehta janë ethe, të dridhura dhe dhimbje koke. Simptomat e rënda përfshijnë lodhje, konfuzion, konvulsione dhe vështirësi në frymëmarrje.
Simptomat mund të jenë të lehta për disa njerëz, veçanërisht për ata që kanë pasur një infeksion malarie më parë. Për shkak se disa simptoma të malaries nuk janë specifike, testimi i hershëm është i rëndësishëm.
Njerëzit me simptoma të rënda duhet të marrin kujdes urgjent menjëherë. Marrja e hershme e trajtimit për malarien e lehtë mund të ndalojë që infeksioni të bëhet i rëndë.
Infeksioni i malaries gjatë shtatzënisë gjithashtu mund të shkaktojë lindje të parakohshme ose lindje të një fëmije me peshë të ulët lindjeje.
Parandalimi
Malaria mund të parandalohet duke shmangur pickimin e mushkonjave dhe me ilaçe. Trajtimet mund të ndalojnë përkeqësimin e rasteve të lehta. Nëse nuk trajtohet, malaria mund të përparojë në sëmundje të rëndë dhe vdekje brenda 24 orëve.
Bisedoni me një mjek për marrjen e ilaçeve të tilla si kemoprofilaksia përpara se të udhëtoni në zonat ku malaria është e zakonshme. /KosovaPress/