Nga rreth 15 mijë profesionistë shëndetësorë sa ka Kosova në sektorin publik dhe privat, vetëm rreth 5 mijë prej tyre kanë marr dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. E ky hezitim i mjekëve për t’u vaksinuar po shihet si një shembull jo i mirë për qytetarët.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti deklaron se ka profesionistë shëndetësorë që kanë hezituar të vaksinohen, por ka edhe të tjerët të cilat kanë antitrupa pasi tashmë e kanë kaluar COVID-19.
Shembull jo i mirë për qytetarët e Kosovës po konsiderohet hezitimi i mjekëve për t’u vaksinuar.
Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli thotë se stafi mjekësor nuk ka asnjë arsye për të mos u vaksinuar.
Sipas saj vaksinimi është mënyra për të dalë nga izolimi dhe për të shpëtuar nga pandemia COVID-19.
I befasuar me hezitimin e mjekëve për t’u vaksinuar u shpreh edhe’ kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu. Sipas tij arsyet për mos vaksinim të stafit mjekësor kanë qenë dilemat e ngritura përgjigje të cilave do duhej t’u jepte Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Por ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikes Infektive, Izet Sadiku ka thënë se rreth 100 mjekë dhe infermierë të kësaj klinike tashmë kanë marr dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.
Sipas tij ata që janë vaksinuar nuk kanë pasur komplikime të rënda, përveç atyre që sjell çdo vaksinim tjetër.
Krahas stafit mjekësor që janë vaksinuar në Kosovë, rreth 500 mjekë nga Kosova, në fund të marsit u vaksinuan kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë me vaksinën e AstraZenecas.
Ndërsa, më 28 mars në Kosovë arriti kontingjenti i parë i 24 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca, të cilat u dhuruan nga COVAX. Prioritet në këtë fazë të parë të vaksinimit kishin personelit shëndetësor dhe personat e moshuar. Ndërsa, tani janë bërë afërsisht një muaj prej se ka nisur shpërndarja e këtyre vaksinave./KosovaPress